Në një spital të Maqedonisë së Veriut është rrëmbyer një i vdekur nga familjarët e tij, pasi viktima ishte pranuar në qendrën spitalore në gjendje të rëndë, me temperaturë të lartë, presion të lartë të gjaku dhe ethe.

Drejtori i spitalit në qytetin e Strumicës, Naqe Gogov, ka thënë për mediat se ngjarja ka ndodhur sot, në orët e para të mëngjesit, kur një grup prej 20 personash kanë arritur të futen në spital prej nga e kanë nxjerr me gjithë krevat viktimën, 49 vjeç nga Strumica.

“Stafi i spitalit nuk mundi të bënte asgjë pasi ishte një turmë e madhe. Drejtuesit e spitalit iu shmangën incidentit ndërsa rastin e paraqitën në polici“, ka deklaruar Gogov.

Mjekët nuk kishin arritur ta testojnë pacientin për koronavirus, por bazuar në simptomat dhe gjendjen e rëndë shëndetësore, nga spitali kanë thënë se me gjasë viktima ishte i infektuar me këtë virus.

Nga spitali thonë se megjithatë testimi do të bëhet me asistencë të policisë, pasi familjarët nuk do të mund ta varrosin atë pa lejen e institucioneve përkatëse. Në Maqedoninë e Veriut edhe në raste tjera janë testuar persona pas vdekjes.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të hënën nga testimi i 552 mostrave janë regjistruar 7 viktima dhe 45 raste të reja me COVID-19. /REL