LONDER– Një grup i armatosur ka rrëmbyer sot në veriperëndim të Sirisë një autobus me të paktën 40 civilë, kryesisht gra dhe fëmijë, njoftoi Vëzhguesi për të drejtat e njeriut i Sirisë.
“Shumica e të rrëmbyerve janë gra dhe fëmijë, janë vetëm disa meshkuj të rritur”, tha drejtori i kësaj organizate me seli në Londër, Rami Abdel Rahman, duke shtuar se viktimat janë kryesisht nga një fshat në krahinën Idlib.
Sipas komunikatës, autobusi ishte duke shkuar për në Damask.
“Rrëmbyesit janë sipas të gjitha gjasave kryengritës, të cilët shfrytëzojnë vakuumin e mungesës së sigurisë në këtë krahinë nga e cila ushtria është tërhequr”, tha Rahman, për të shtuar se organizata e tij për të drejtat e njeriut “është shumë e brengosur për fatin e grave dhe fëmijëve të rrëmbyer”.
Në një zhvillim tjetër, në verilindje të Sirisë kryengritësit kanë pushtuar pjesën më të madhe të fushës së naftës, kurse ditë më herët kishin pushtuar edhe digën më të madhe si dhe pozitat strategjike rreth një aeroporti me rëndësi.
Luftimet kryesore ndërmjet kryengritësve dhe forcave të regjimit të Asadit po zhvillohen për aeroportin kryesor të qytetit më të madh (2 milionësh) të Sirisë, atë të Halebit.