Një gazetare e pavarur amerikane është rrëmbyer në kryeqytetin irakian, Bagdad, dhe një nga të dyshuarit është i lidhur me një milici të mbështetur nga Irani, thonë zyrtarë irakianë dhe amerikanë, raporton BBC.

Shelly Kittleson u rrëmbye të martën në mbrëmje, tha Al-Monitor, një media për të cilën ajo ka kontribuar me artikuj.

Ministria e Brendshme irakiane tha se forcat e sigurisë i kishin ndjekur rrëmbyesit e gazetares në një ndjekje që rezultoi në përmbysjen e njërës prej makinave të rrëmbyesve dhe arrestimin e një të dyshuari.

Një zyrtar i departamentit të shtetit amerikan tha se një individ me lidhje me një grup militantësh të lidhur me Iranin, Kataib Hezbollah, u arrestua nga autoritetet irakiane. Al-Monitor, me seli në SHBA, tha se raportet lokale të lajmeve tregojnë se Kittleson u rrëmbye pranë një hoteli në zemër të kryeqytetit.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se po punonte për të siguruar lirimin e amerikanit “sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Një individ me lidhje me grupin e milicisë Kataib Hezballah, i lidhur me Iranin, që besohet të jetë i përfshirë në rrëmbim, është marrë në paraburgim nga autoritetet irakiane”, shkroi në X Dylan Johnson, ndihmës sekretari i shtetit për çështjet publike globale.