Një shqiptar është rrëmbyer në Salvador të Brazilit dhe është keqtrajtuar nga rrëmbyesit, të cilët e kanë lënë të plagosur edhe në brinjë. Ai është Luan Kelmendi, me nënshtetësi zvicerane, i cili është rrëmbyer nga persona të panjohur me një Celtic të zi dhe është plaçkitur duke i marrë gjithçka kishte me vete.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së shtunës më 13 shkurt në lagjen e turistëve në qytetin e vjetër të Salvadorit, njoftojnë portalet braziliane. Më pas ai është hedhur në sheshin “Marechal Deodoro” dhe aty është gjetur nga një komando e policisë ushtarake. Viktima është dërguar menjëherë në spital, nga ku raportohet sipas medieve lokale, se nuk është në rrezik për jetën.