Policia po vazhdon kontrollin në zonën e Shijakut në fshatin, Pjezë, pasi Jak Prenga mund të jetë varrosur aty, pasi u rrëmbye më datë 17 janar në Kamëz, ndërsa vetëm, para pak ditësh policia mundi të zbulonte se ai ka ndërruar jetë.

Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha raportoi se sot në Shkodër janë kontrolluar banesat e atyre që dyshohet se janë organizatorët e rrëmbimit dhe vrasësit e Jak Prengës.

Por më kryesori siç raporton Anila Hoxha është Gentian Doci , ku në disa disa përgjime telefonike, edhe nga autoritetet britanike është zbuluar një komunikim i tij me të vëllanë e viktimës, N.Prenga.

Ky e fundit e pyet “ku e kam vëllanë”, dhe ai i thotë “ e di shumë mirë ku e kë vëllanë, se më keni prekur mallin”.

E gjithë kjo bisedë erdhi pasi ashtu siç edhe Top Channel ka raportuar më herët vëllai i Jak Prengës, nuk kishte dorëzuar te organizata sasinë prej 280 kg të kokainës.

Ndërkohë janë edhe tre persona të tjerë në kërkim nga Shkodra, po që për arsye hetimore identiteti i tyre nuk bëhet i ditur, por që janë personazhe mjaft të njohur në botën e krimit.

Ndërkohë që policisë së shtetit i është kërkuar bashkëpunim me palën britanike për zbardhjen e plotë ngjarjes.

Një tjetër pikë “e nxehtë” në këtë çështje janë edhe kamerat e sigurisë. Në resortin në Shijak policia ka vëzhguar me dron, dhe ka ndjekur veprimet, por nuk shpjegohet pse policia nuk ia ka dalë mbanë të bllokojë furgonin ku ishte trupi i pajetë.

Gjithë dinamika e nxjerrjes së trupit jepet vetëm nga një kamera, që si duket është neglizhuar nga ata, ndërsa të tjerat janë asgjësuar nga anëtarët e grupit kriminal, që tregon elemente të rëndësishme.

Aty shfaqet nxjerrja e trupit dhe pastaj disa autorë që fshijnë duart dhe gjakun që besohet se është pastruar me acid.