Dje janë shfaqur pamjet filmike të kamerave të lokalit “Port Side” në Durrës, aty ku u rrëmbye shtetasi Gazmend Çollaku, më 6 janar të 2016-s.
Në Gjykatën e Krimeve të Rënda, janë transmetuar pamjet filmike të 6 CD-ve të sekuestruara nga policia e Durrësit. Gjatë transmetimit të filmimeve, të kamerës nr.2, është shfaqur makina e viktimës tip “Benz”, ngjyrë e bardhë, ndërkohë pak minuta më vonë, shfaqet një veturë ngjyrë e zezë, por pa u dalluar marka e makinës dhe drejtuesi i saj.
Pamjet filmike të kësaj kamere janë konstatuar nga avokati i të pandehurit Denis Shtraza, Alban Qafa, i cili i kujtoi gjykatës që të shënojë në procesverbalin e seancës gjyqësore se automjeti ngjyrë e zezë që është filmuar nga kamerat, nuk dallohet qartë nëse i përket markës “Audi” apo foristradë “Benz”.
Interpretim i gabuar i pamjeve filmike
Sipas avokatit, policia gjyqësore e Durrësit ka bërë interpretim të gabuar të pamjeve filmike, pasi ka shkruar në procesverbale se makina e rrëmbyesve ka qenë “Audi”, në një kohë që këto pamje nuk tregojnë asgjë për markën e makinës. Më tej gjykata ka vijuar me transmetimin e pamjeve filmike të kamerës nr. 6, në të cilën dallohej qartë që automjeti tip “Benz” i viktimës, afrohet pranë parkimit të lokalit “Port Side”.
Filmimet tregonin se teksa Gazmend Çollaku, ka parkuar makinën dhe ka zbritur prej saj, afër tij është afruar vetura ngjyrë e zezë.
Pikërisht ky moment thuajse nuk dallohej fare në pamjet filmike, pasi pozicioni ku ndodheshin personat ishte në skajin e sipër të këndvështrimit të kameras. Në filmim, dallohen disa njerëz që lëvizin, por e pamundur të përcaktohej se sa ishte numri i tyre.
Aq më tepër, nuk dallohej dhe veshja e tyre, ashtu siç është pretenduar se autorët e rrëmbimit kanë qënë me veshje policie. Të paktën nga pamjet filmike, autorëve nuk i indetifikohej asnjë e dhënë, për të sjellë zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Sipas kësaj kamere, rrëmbimi i Gazmend Çollakut ka ndodhur në orën 19:50, por në seancat e kaluara disa nga punonjësit e lokalit, kanë pohuar se ora e kamerës ka qënë disa minuta para.
Shtraza nuk pranon krimin
Mëngjesin e 7 janarit, trupi i pajetë i Çollakut, i lidhur këmbë e duar me fasheta, është gjetur buzë rrugës së fshatit Murqin të Krujës. Mirëpo zbardhja e emrave të autorëve që kryen rrëmbimin, torturimin dhe më pas ekzekutimin e Gazmend (Laert) Çollakut më 6 janar 2016, është vendosur në pikëpyetje në seancat gjyqësore që janë zhvilluar kundër të arrestuarit të vetëm për këtë ngjarje, të pandehurit Denis Shtraza. Denis Shtraza prej 1 viti e 7 muaj qëndron në burg për këtë ngjarje. Ai në asnjë moment nuk e ka pranuar të jetë implikuar në ekzekutimin e ish-shokut të tij të qelisë Gazmend (Laert) Çollakut, duke pretenduar se në ditën dhe në orën kur është bërë rrëmbimi, ai ndodhej në Tiranë dhe jo në Durrës.
“Në Tiranë kam shkuar pasdite, për të takuar një shoqen time. Kam pirë kafe me të në një lokal në zonën “21 dhjetori” dhe aty kam takuar rastësisht Ervin Dalipajn, të cilin e njihja pasi vinte shpesh në plazhin privat, ku unë punoja në Durrës”, ka deklaruar Shtraza para gjykatës.
/Shqiptarja.com/





