Gjatë dy ditëve të fundit, Policia Rrugore ka sekuestruar qindra monopatë elektrikë në Tiranë, pas një urdhri të publikuar në Facebook nga ministrja e Brendshme, Albana Koçiu.
Sipas njoftimeve zyrtare, aksioni është ndërmarrë në kuadër të rritjes së sigurisë rrugore dhe zbatimit të rregullave të qarkullimit për mjetet elektrike, por vendimi ka shkaktuar pakënaqësi të madhe tek përdoruesit e monopatëve.
Qytetarë të shumtë e kanë cilësuar urdhrin si të padrejtë dhe të nxituar, duke akuzuar autoritetet për mungesë transparence dhe komunikimi publik mbi rregullat e reja të qarkullimit. Në reagim ndaj këtij vendimi, është njoftuar se të mërkurën, në orën 10:00, qytetarët e Tiranës do të protestojnë para godinës së Policisë Rrugore, për të kërkuar anulimin e urdhrit dhe kthimin e monopatëve të sekuestruar.
Njoftim për protestë!
Rrëmbimi i monopatinave përmes një urdhri vetëm në Facebook, të mërkurën ora 10:00 protestë para Policisë Rrugore!
Me qindra monopatina u janë sekuestruar qytetarëve të Tiranës mbi bazën e një urdhri në rrjetet sociale për të cilin nuk ka asnjë shkresë zyrtare nga Ministria e Brendshme.
Sekuestrimi i këtyre monopatinave është bërë në shkelje të hapur të ligjit, duke ekspozuar qytetarët përballë kostove financiare të padrejta dhe mbi të gjitha jemi në kushtet e cenimit të pronës private.
Të gjithë pronarët e motomjeteve, të gjendur para kësaj situate, nuk dinë më çfarë të bëjnë. Nëse mjeti yt është konfiskuar dhe po mbahet në mënyrë të paligjshme, të ftojmë të mblidhemi ditën e mërkurë, ora 10:00, para Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë për të kërkuar llogari mbi këtë aksion të paligjshëm.





