23gusht 2015 – Orion Hoxha, në 10 prill 2015, në profilin e tij në “Facebook” ka publikuar një foto ku luan me flakët, pasi ka krijuar një zjarr në ajër me një spraj dhe një çakmak. Dhe duket se adoleshenti kishte vendosur të luante vërtet me zjarrin javët e fundit.

E dashura e tij, Nensi Ç. ka dëshmuar se ai i kishte vënë syrin një lokali në katin e parë të një pallati në zonën ku banonte në Tiranë.

Adoleshenti ëndërronte ta blinte këtë lokal dhe më pas ta menaxhonte në cilësinë e pronarit të biznesit. Ka qenë kjo ëndërr e bukur me të cilën Orion Hoxha, 18 vjeç, sipas policisë, ka tërhequr në “lojën me zjarrin” edhe të dashurën e tij, Nensi Ç.

Ajo dëshmoi në polici se i riu i ka premtuar se do të punonin bashkë në lokalin që do të blinin dhe se do ta menaxhonin së bashku në vazhdim. I riu mendohet se e ka bindur vajzën adoleshente të vepronte kundër babait të saj. Plani për të blerë lokalin në fjalë është përmendur në mesazhet që Nensi Ç. ka shkëmbyer me të dashurin e saj gjatë javëve të fundit, teksa inskenonin rrëmbimin dhe gjobëvënien ndaj biznesmenit, thotë Panorama.

Në këto mesazhe që kanë shkëmbyer dy të rinjtë, përmendet fakti se shuma prej 400 mijë eurosh që i kërkohej biznesmenit të mobilieve, ishte në fakt çmimi me të cilin do të bëhej blerja e lokalit. Një fakt i tillë është pranuar edhe nga dy të rinjtë në ambientet e policisë së Tiranës pak orë pas shoqërimit aty me akuzën e gjobëvënies në bashkëpunim.

Dosja penale për këtë çështje i ka kaluar prokurorisë së krimeve të rënda në Tiranë. Kjo e fundit pritet të kërkojë në gjykatë caktimin e masës së sigurisë ndaj tre adoleshentëve që inskenuan rrëmbimin e 18- vjeçares, me qëllim që t’i merrnin paratë babait të saj.

Prokuroria e krimeve të rënda mësohet se nuk ka marrë ende një vendim në lidhje me masën e sigurisë, për arsye se ngjarja po analizohet në të gjitha elementet e saj. Kjo për arsye se veprimet e para hetimore janë bërë me qëllim parandalimin e ngjarjes.