KANADA – Një ngjarje e pazakontë dhe e frikshme për disa sekonda ka ndodhur në një park të Montrealit në Kanada.
Një fëmijë rreth një vjeç, i ulur në një park ka qenë për pak çaste 'preja' e një shqiponje, e cila pasi vëzhgoi nga sipër ambientin u sul të kapte vogëlushin duke e ngritur rreth një metër në ajër. Mesa duket grabitqari e lëshoi shpejt fëmijën, i cili sipas njoftimeve të fundit nuk ka pësuar asnjë dëm. E gjithë kjo skenë është filmuar dhe videoja po bën xhiron e botës.
“Shqiponja e artë, është shpendi grabitqar më i madh në Amerikën e Veriut dhe mund të fluturojë deri në 150 milje për orë”,- sqaron Shoqata Amerikane e Gjeografisë.
Shkencëtarët thonë se nëse videoja është reale, atëherë shqiponja e ka ngatërruar fëmijën me ndonjë lepur ose ketër, që janë preja e zakontë e këtij shpendi.
Në foto duket qartë momenti kur shpendi e ngre fëmijën e vogël nga toka, e më pas kur e lëshon atë vetëm pas disa sekondash.