Nëse kuzhina mbetet e mbushur me enë të palara, banjoja me gëlqere dhe mbeturinat nuk nxirren prej ditësh, duket qartë se pastrimi nuk është përparësi. Por sipas psikologëve, rrëmuja në shtëpi nuk lidhet vetëm me zakonet, ajo mund të pasqyrojë gjendjen emocionale dhe mendore të një personi.
Ekspertët e Psikologjisë Transaksionale theksojnë se hapësira ku jetojmë shpesh funksionon si një “pasqyrë” e brendësisë sonë psikologjike. Edhe Shoqata Amerikane e Psikologjisë paralajmëron se rrëmuja rrit nivelet e stresit dhe kortizolit, duke sinjalizuar vështirësi në rregullimin e emocioneve, motivimin ose ankthin.
Rrëmuja e fshehur- dëshirë për perfektion dhe kontroll imazhi
Në pamje të parë shtëpia mund të duket e rregullt, por sirtarët dhe dollapët e mbushur me rrëmujë tregojnë një tendencë për të ruajtur një imazh të favorshëm. Studime të publikuara në Journal of Consumer Research e lidhin këtë sjellje me perfeksionizmin dhe frikën nga gjykimi.
Objektet e thyera – sinjal i shmangies së problemeve
Psikologët klinikë thonë për “Verywell Mind” se mosriparimi i sendeve shpesh lidhet me një stil pasiv përballimi. Këta individë priren të shtyjnë detyrimet, shpesh duke shpresuar se situatat do të rregullohen vetë.
Tavolina e rrëmujshme – kreativitet apo papjekuri?
Një tavolinë e çorganizuar mund të sinjalizojë impulsivitet, por edhe kreativitet. Një hulumtim i Universitetit të Minesotës, botuar në Psychological Science, gjeti se mjediset e çrregullta shpesh frymëzojnë ide më kreative, për sa kohë që personi “orientohet” në atë kaos.
Koshi i plehrave dhe shporta e rrobave gjithmonë plot – prokrastinim kronik
Sipas APA, sjellje të tilla lidhen me zvarritjen, shpesh të shkaktuar nga ankthi, vetëvlerësimi i ulët ose çrregullime të vëmendjes.
Hyrja e boshatisur – boshllëk emocional
Ekspertët e Klinikës së Klivlendit thonë se një hyrje e pambushur me mobilje apo dekor shpesh tregon vështirësi në krijimin e ndjesisë së përkatësisë, vetmi ose pasiguri emocionale.
Kuzhina e neglizhuar – shenjë e mundshme e depresionit
Instituti Kombëtar i Shëndetit Mendor paralajmëron se humbja e motivimit për përkujdesjen ndaj shtëpisë shpesh është një nga shenjat e para të depresionit. Kjo reflektohet më shpejt në kuzhinë – enë të palara, papastërti dhe mungesë energjie.
Banjoja e rrëmujshme – lodhje mendore dhe burnout
Sipas Psychology Today, banjoja zakonisht mbahet e pastër edhe nga personat më pak të organizuar. Kur lihet pas dore, kjo shpesh tregon stres të zgjatur dhe mbingarkesë mendore.
Rrëmuja ekstreme – çrregullim grumbullimi
Grumbullimi konsiderohet çrregullim i spektrit obsesiv-kompulsiv sipas DSM-5. Njerëzit me këtë gjendje përjetojnë ankth të madh kur duhet të largojnë sende dhe shpesh kërkojnë ndihmë profesionale.
Obsesioni për pastërti – kontroll i ankthit
Në anën tjetër, nevoja e tepruar për pastërti mund të jetë shenjë e çrregullimit obsesiv-kompulsiv, paralajmëron Klinika e Klivlendit.
Si ndikon rrëmuja në shëndetin mendor?
Një studim i Universitetit të Kalifornisë tregoi se njerëzit që jetojnë në hapësira të rrëmujshme kanë nivele më të larta kortizoli. Ekspertët theksojnë se largimi i rrëmujës nuk është vetëm çështje estetike – është një ndërhyrje që ndikon drejtpërdrejt në mirëqenie, duke ulur ankthin dhe duke rritur ndjenjën e kontrollit.
Psikologët pajtohen për një gjë: një shtëpi e organizuar nuk është vetëm e bukur për sy – është më e mirë edhe për mendjen.





