Disa ditë pas tërmetit të 26 nëntorit, dhimbjet për shtëpitë e rrënuara dhe vuajtjeve në çadër, 87-vjeçarit Halit Subashi dhe 13 anëtarëve të familjes i janë zëvendësuar nga gëzimi.

Organizata “Rrënjë Shqiptare” dhe Marin Mema pas nisjes të rindërtimit të një shtëpie në Tapizë kanë mbërritur në fshatin Likeshë të Shijakut në ndihmë të familjeve Subashi.

87-vjeçari Halit Subashi i tha gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu, se nuk ia merrte mendja që rindërtimi të niste kaq shpejt. E pyesim inxhinierin Llazimir Xhaxho sa kohë do të duhet për ndërtimin e këtyre tre shtëpive.

“Mendoj nëse na mban koha se jemi në sezon reshjesh të mbarojmë pas 1 muaji ose një muaji e gjysmë për t’u dhëne mundësinë të hy në këto banesa të reja familjeve”, u shpreh ai.

 Marin Mema tregon përse u zgjodhën këto tre familje për t’u ndihmuar.

“U gjendëm pranë familjes Subashi për shkak të vështirësive të shumta që kishte kjo familje jo thjesht pas prekjes nga tërmeti por edhe vështirësive ekonomike. Së bashku me Rrënjët Shqiptare me të cilët ne po bashkëpunojmë vendosem të rindërtojmë këto 3 shtëpi dhe shpresojmë që puna të përfundojë sa më shpejt. Siç edhe e shikoni po punohet intensivisht. E kemi thënë edhe më parë është momenti sot për të punuar dhe lënë fjalët. Është koha për shpresë dhe ne shpresë  do ta japim duke qenë pranë sa më shumë familjeve që të mundemi”.

 Alberim Qoku përfaqësues i “Abanian Roots” rrënjët shqiptare ka lindur në New York dhe ka ardhur nga Amerika, të ndjek punimet.

“Ky është vetëm fillimi. Ne jemi ketu të ndihmojmë të gjithë njerzit e prekur nga tërmeti dhe janë në nevojë. Ne jemi ketu të gjithë bashkë dhe do të punojmë bashkërisht. Synimi ynë është të ndërtojmë sa më shumë shtëpi në zonat ku tërmeti shkaktoi tragjedi”, tha ai.

 Për Shijakun qeveria një ditë parë miratoi dy zona ku do te rindërtohet.

Njëra prej tyre në lagjen luginë dhe një tjetër  në fshatin Likeshe.  Arstrit Gjepali administrator njësisë administrative Gjepalaj, thotë se është zgjedhur kjo zonë për rindërtim pasi ka afër njësinë administrative, shkollën dhe qendrën shëndetësore.

Në një hapësirë prej 4 hektarësh pritet të nisë ndërtimi 60 m shtëpive të reja ku do të akomodohen banorët e katër fshatrave Likeshë, Shetel, Eminas i Vogël dhe Çizmeli, shtëpitë e cilëve janë të pabanueshme. /Top Channel