Itali, 30 mars 2014 – Addi Bonjakaj, rreperi shqiptar që banon prej 10 vitesh në Arona në Itali ka nisur të bëjë të flasin për të mediet e vendit fqinjë. 22 vjeçari i lindur në Vlorë, por që ka emigruar që në moshë të vogël në Itali, punon prej kohësh në një pastiçeri në Arona dhe gjithë paratë që fiton nga puna e tij i investon në muzikë.  

22-vjeçari shqiptar rrëfen se shtysa e parë, për të shkruar dhe mbi të gjitha për të kënduar, i ka ardhur në moshën 13-vjeçare, pasi ka parë filmin e Rapper-it Eminem.

Addi krijon pa ndalur muzikë dhe tekste, duke u frymëzuar nga jeta e përditshme, pa harruar origjinën e tij, sakrificat e prindërve, në të cilat sheh ato të të gjithë emigrantëve.

Kënga e tij “You know me” është hedhur prej disa javësh në Youtube dhe ka nisur të pëlqehet mjaft, ndërkohë që mediet kanë nisur të interesohen për të riun shqiptar.  Ajo nuk pëlqehet vetëm nga vajzat që kanë nisur të mbajnë rradhën në pastiçerinë e tij për t’u njohur nga afër me rreperin shqiptar, por interes kanë shfaqur edhe disa DJ që kanë kontaktuar me Bonjakaj. Ai ndërkohë ka realizuar edhe një CD “Life & Love” (Jetë dhe Dashuri) dhe pret të nisë promocionin e saj live nëpër lokale. Në fund të fundit ai është mjaft i përkushtuar në muzikë, suksesi me siguri do të vijë shpejt…

 /agjencia e lajmeve “Dyrrah”/