ELBASAN – Qarkullimi në aksin rrugor Elbasan-Librazhd në orët e para të mëngjesit të shtunës ka nisur me probleme. Mësohet se shkak për bllokimin janë bërë rrëshqitjet e dherave dhe gurëve të regjistruar mëngjesin e sotëm kanë shkaktuar probleme në funksionimin normal të qarkullimit rrugor të automjeteve, duke sjellë bllokim të tij, ndërsa nuk raportohet për dëme materiale apo të lënduar në njerëz.
Mësohet se shkak është bërë moti i paqëndrueshëm i ditëve të fundit, i shoqëruar me reshje të shumta, çfarë ka bërë të domosdoshme edhe ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të policisë, të cilat së bashku me sektorin e mirëmbajtjes së rrugëve dhe struktura të emergjencave civile po punojnë për menaxhimin e situatës dhe kthimin e normalitetit në qarkullim.
Ky nuk është rasti i parë i rrëshqitjes së dherave në këtë segment, pasi sa herë bien shira me intensitet të lartë ky fenomen bëhet i shpeshtë.





