Një situatë shqetësuese është krijuar pas zhvendosjes dhe fundosjes së bazamentit të shtyllës së tensionit të lartë 110 kV, nr. 15, që lidh HEC Egnatia me nënstacionin e Librazhd.
Problematika është konstatuar pas lëvizjeve të tokës në zonë, duke ngritur alarmin për sigurinë e linjës së transmetimit.
Specialistët e Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) ndodhen edhe sot në vendngjarje, ku po kryejnë monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe po analizojnë stabilitetin e strukturës metalike.
Paralelisht, gjeologë të specializuar po bëjnë vlerësimin teknik të terrenit për të përcaktuar shkakun e zhvendosjes dhe rrezikun potencial për përkeqësim të mëtejshëm.
Burime nga terreni bëjnë me dije se, në kuadër të rritjes së shkallës së sigurisë, po diskutohet një zgjidhje emergjente që përfshin përforcimin e bazamentit të shtyllës si dhe stabilizimin e trupit të saj përmes lidhjes me kabuj çeliku, me qëllim shmangien e çdo rreziku për shembje apo ndërprerje të furnizimit me energji.
Autoritetet theksojnë se aktualisht linja po mbahet nën kontroll të plotë teknik, ndërsa çdo ndërhyrje do të kryhet me prioritet maksimal për të garantuar sigurinë e rrjetit dhe furnizimin e qëndrueshëm me energji për zonën.





