Reshjet e ditëve të fundit të shiut në Durrës shkaktuan rrëshqitjen e tokës në varrezat e vjetra. Për pasojë 4 varre përfunduan në kanalin që përshkon zonën.
Një ditë pas ngjarjes, qytetarët kanë kontrolluar varret e të afërmve të tyre, për të cilat thonë se nuk janë mirëmbajtur nga NSHK dhe Bashkia.
“S’janë mirëmbajtur.”
“Ne na ra varri, e rregulluam. Tani vajtëm atje ishte një pemë gati duke i rënë sipër.”
“Këtu janë pemët e thata ë janë gati në shembje, që duhen prerë. Këtu nuk vihet dorë fare.”
“Vij e kontrolloj herë pas here. Erdha meqë pashë atë lajmin në televizor erdha e kontrollova, e kam në rregull.”, shprehen qytetarët.
Varret e dëmtuara një ditë më parë janë tek varrezat e vjetra, krahu i majtë në hyrje, të cilat i përkasin shtetasve:
- Vesim Toto – varrosur më 14.4.1996
- Prendush Gruda – 1996
- Gjergj Komnino – 11.4. 1998
- Nikolina Zajmi – 26.4. 1996
Mësohet se deri paraditen e kësaj të shtunë, pranë NSHK Durrës janë interesuar tre familje të të ndjerëve dhe ditën e hënë do të dorëzojnë dokumentacionin përkatës pranë këtij institucioni dhe brenda dy ose tre ditësh do të bëhet zhvendosja e varreve në varrezat e reja.





