Një rrëshqitje masive dheu dhe gurësh ka bllokuar aksin rrugor kombëtar Ura e Dragotit-Këlcyrë, duke krijuar vështirësi të mëdha në qarkullim.
Ngjarja ka ndodhur si pasojë e reshjeve të dendura të ditëve të fundit, të cilat kanë shkaktuar lëvizje të shtresave të dheut në zonë. Masat e dheut dhe gurët që kanë rënë në rrugë kanë bllokuar kalimin e mjeteve në të dyja drejtimet, duke shkaktuar shqetësime për banorët dhe udhëtarët.
Në vendngjarje ka ndërhyrë menjëherë ekipi i mirëmbajtjes së aksit Tepelenë-Përmet, i cili ka punuar intensivisht për të pastruar rrugën dhe për të mundësuar qarkullimin. Aktualisht, rruga është hapur në një krah, duke lejuar lëvizjen e automjeteve, ndërsa puna për zhbllokimin e plotë të saj vijon.