Prej 20 ditësh, rrëshqitja e tokës në fshatin Likmetaj të njësisë administrative Ishëm ka krijuar një situatë mjaft të rrezikshme në këtë zonë.
Përveç rrugës së fshatit, që është bërë thuajse e pakalueshme, rrezikon mjaft edhe tubacioni kryesor i rrjetit të Ujësjellësit Durrës.
Që nga data 27 nëntor, kur ka ndodhur erozioni, situata nuk ka ndryshuar aspak dhe nuk është marrë asnjë masë për ndërhyrjen në terren.
Siç duket edhe nga fotot dhe video që na vijnë nga vendngjarja, përreth zonës ku është konstatuar rrëshqitja e dheut është vendosur shiriti i sigurisë.
Një nga banorët e zonës, Aleksandër Mirashaj, tregon për “DurrësLajm” se pasi ka informuar autoritetet për ngjarjen aty kanë mbërritur përfaqësues nga UKD dhe Ndërmarrja Rruga, por përveç vendosjes së shiritëve të sigurisë asgjë tjetër nuk është bërë aty.
Pavarësisht rrezikshmërisë që paraqet rruga, Aleksandri thotë se detyrohet ta përshkojë atë me makinë, sepse duhet të çojë 5 fëmijët në shkollë, duke vënë në rrezik kështu edhe jetën.
“Nuk është e para herë që ndodh kjo gjë. Toka ka rrëshqitur edhe 3 herë të tjera përpara dhe madje kujtoj që një herë Durrësi mbeti pa ujë sepse nga erozioni u ça edhe tubi kryesor i furnizimit me ujë. Duhet të ndërhyhet sa më parë, sepse situata mund të përkeqësohet edhe më shumë. Unë kaloj me frikë aty, por më duhet ta përshkoj këtë rrugë, sepse ndryshe fëmijët mbesin pa shkollë. Nëse toka rrëshqet sërish, rruga dhe tubacionet e ujit të pijshëm mund të përfundojnë në përrua”,- thotë ai.
Mirashaj bën të ditur se i ka informuar të gjithë, edhe kreun e njësisë administrative, edhe kryetaren e bashkisë, por deri më tani situata mbetet e njëjtë në terren.
“Durrësi rrezikon të mbetet pa ujë nga neglizhenca e organeve përkatëse”,- vijon Mirashaj.
Nëse nuk ndërhyhet për riparimin e këtij aksi, reshjet e tjera të shiut mund ta përshpejtojnë fenomenin e erozionit në këtë zonë. Për më tepër që rrëshqitja e dheut ka ndodhur dhe herë të tjera dhe në një distancë rreth 1 km, ky aks rrugor paraqet problematika të konsiderueshme përsa i përket fortësisë së terrenit.
M.B.





