Rrëshqitja masive e dherave nga kodrat e Durrësit dhe njësive administrative duket se e kanë shqetësuar bashkinë e qytetit bregdetar.

Për të frenuar fenomenin e erozionit, bashkia i ka bërë apel studiove të projektimit dhe ekspertëve të fushës që të hartojnë projekte, me qëllimin parandalimin e rrëshqitjeve të mëtejshme.

Më datë 21 prill, bashkia Durrës ka publikuar në faqen zyrtare të saj njoftimin e mëposhtëm:

“Bashkia e Durrësit i bën thirrje studiove të projektimit dhe ekspertëve të fushës për hartimin e projektit për shkarjen masive të dherave në zonat në kodër pranë Currilave nga ana veriore e perëndimore të saj, lagjia nr. 10, rrëshkitjen masive të dherave për faqen e kodrës në fshatin Shkallnur në Njësinë Administrative  Rrashbull si dhe në fshatrat Alljas, Bizë, Shetaj në Njësinë Administrative Ishëm.

Subjektet e interesuara mund të sjellin shprehjen e tyre të interesit pranë sportelit të Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun të Bashkisë Durrës ose ne e-mailin zyrtar të bashkisë: [email protected]

Afati për paraqitjen e kërkesës nga subjektet është deri në datën 28.04.2021”,– njofton bashkia.

Problemi nuk është prezent vetëm në kodrën e Currilave, por duket se ai po kthehet në shqetësim të vazhdueshëm edhe në kodrën e NJA Rashbull si dhe në kodrat e NJA Ishëm. Nuk dihet ende nëse ka pasur studio projektimi të interesuara për të hartuar një projekt për frenimin e erozionit.

Ndërhyrja e fundit e realizuar në kodrën e Currilave, u bë në vitin 2015, me vlerë më shumë se 2 milionë euro. Por investimi që kishte për qëllim frenimin e erozionit rezultoi i pasuksesshëm dhe rrëshqitjet e kodrës vijojnë pa ndalur.

Në një intervistë për “DurrësLajm”, më 23 mars 2021, deputeti Lefter Koka, ish-ministër i mjedisit në kohën e realizimit të projektit, tha:

“Fatkeqësisht investimi në kodrën e Currilave nuk pati atë impakt dhe qëndrueshmëri që mendonin specialistët se do të kishte. Por në Durrës, toka ka këto problematika të erozionit, sidomos nga ana e jashtme e qytetit, pasi në anën e brendshme mund të rrezikojë më shumë nga sizmiciteti”.

M.B.