DURRES– Monumenti arkeologjik i njohur me emrin "Rotonda" në qendër të Durrësit ka filluar të dëmtohet si pasojë e rrëshqitjeve dhe mungesës së kujdesit nga srukturat përkatëse.

Reshjet e javës së kaluar kanë shkaktuar rrëshqitjen e dherave në pjesën pranë trotuarit të rrugës "Aleksandër Goga", me të cilën kufizohet monumenti në anën e tij perëndimore, ndërsa mungojnë shërbimet e çdo lloji nga ana e personelit.

Forumi rrethor, i rrethuar pjesërisht me kolona dhe kapitele është zbuluar në fundin e viteve 1970, por gërmimi i plotë i monumentit u bë në vitin 2000, duke prishur edhe rrugën prej 200 metrash që bashkonte bulevardin "Dyrrah" me rrugën "Aleksandër Goga".

Disa vjet më vonë Instituti i Monumenteve të Kulturës realizoi restaurimin e pjesshëm të forumit, duke e kthyer atë në një pikë mjaft tërheqëse për vizitorët vendas dhe të huaj.

Ditët e fundit keqbërësit kanë shkulur nga vendi edhe tabelën informuese të monumentit, ndërsa një prej kaliteleve është shkëputur nga bazamenti i tij.