Opozita do të rikthehet sërish sot në protestë për largimin e Ramës, por ndryshe nga herët e tjera kur protesta niste në mëngjes, qytetarët do të mblidhen para Kryemistrisë në orën 18:00.
Mbështetës të opozitës kanë filluar të organizohen e të nisen drejt kryeqytetit, me autobusë, furgonë dhe mjete personale.
Në Durrës, dega e Partisë Demokratike ka organizuar disa autobusë për nisjen e protestuesve drejt Tiranës. Për të gjithë ata që nuk kanë mundësi të lëvizin me mjetet e tyre, në dispozicion autobusët do të jenë te selia e PD-së, te Mauzoleumi i Dëshmorëve, në Kënetë, në Sukth dhe në Manzë, teksa nisja pritet të bëhet rreth orës 16:00.
Burime nga PD-ja e qytetit bregdetar, thanë për “DurrësLajm” se janë 10 autobusë me 50 vende dhe 10 të tjerë me 30 vende. Sipas parashikimeve, thuhet që do të jenë rreth 5000 persona nga Durrësi që do të marrin pjesë në protestën e sotme, pjesa më e madhe e të cilëve janë organizuar me mjete personale.





