Agjencia Kundër Korrupsion ka për obligim që t’i përgjigjet Kuvendit të Kosovës, ndërsa njëra ndër përgjegjësitë e saj ligjore është që të mbikëqyrë dhe t’i parandalojë rastet e konfliktit të interesit te të gjithë zyrtarët publikë.
Pavarësisht kësaj, jo çdo herë deputetët marrin informatat që ata i dëshirojnë lidhur me hetimet ndaj rasteve që kanë kryer konflikt interesi, raporton KTV.
Ka disa muaj që Komisioni për Administratë Publike, ka kërkuar të gjithë emrat e zyrtarëve të bordeve nëpër agjenci që janë duke u hetuar për konflikt të interesit.
Deri më tani, i njëjti komisioni ende nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Kjo heshtje dhe ky mosbashkëpunim është i papranueshëm për deputetët e Kuvendit.
Zyrtarët e Agjencisë Anti Korrupsion e pranojnë se nuk kanë shkruar një raport për deputetët e këtij komisioni me rastet të cilat janë duke i hetuar, me arsyen se faza e hetimeve është konfidenciale.
Sipas tyre, të njoftuar janë vetëm pala e përfshirë në konflikt të interesit dhe Agjencia.
Kjo Agjenci tani është duke i hetuar rreth 70 zyrtarë publikë, të cilët mbajnë nga dy poste dhe janë duke shkaktuar konflikt interesi. 30 nga ta tashmë kanë hequr dorë nga njëra pozitë kur janë njoftuar se po hetohen nga Agjencia.
Në këtë agjenci thonë se edhe Kuvendi i Kosovës nuk e ka marrë për bazë rekomandimin e tyre, përmes të cilit kanë kërkuar që para emërimit të anëtarëve të bordeve të njëjtit t’u verifikohen pozitat në mënyrë që mos të ketë shumë raste të tilla.