Pas rreth 8 orësh brenda, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Në një deklaratë të shkurtër për gazetarët, Veliaj tha se ishte në SPAK, si bashkëpunëtor, ndërsa shtoi se ka dhënë të gjitha shpjegimet e nevojshme për çështjen e inceneratorëve.
Veliaj: E vetmja gjë që mund t’i bëjmë eshte të forcojmë institucionet. Kisha kohë që kisha kërkuar nje takim. Patëm një ezaurim për çështjen e inceneratorëve. U thanë detaje të tjera, të dy kolegët hetues me kërkuan që për çështje të sekretit hetimor, të mos i ndaj me gazetarët. Sot ndihem më i lehtësuar që pata mundësinë të them fjalën time.
Veliaj është paraqitur paraditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme ku është pyetur për rreth 7 orë e gjysmë. Ai e kishte paralajmëruar vetë ditën e shtunë që do të paraqitej në SPAK. Raportohet se ai është thirrur nga prokurori i posaçëm Dritan Prenci, si person që ka dijeni në lidhje me inceneratorin e Tiranës. Për aferën e inceneratorit janë në burg një numër i madh zyrtarësh dhe janë shpallur në kërkim pronarët.