Pas dyshimeve se janë helmuar nga uji, dy persona kanë ndërruar jetë në Deçan të Kosovës gjatë 24 orëve të fundit dhe rreth 900 qytetarë raportohet se kanë pasur simptoma të njëjta dhe një pjesë e tyre ka kërkuar ndihmë mjeksore.

Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit janë te një degë e furnizimit të ujësjellësit “Hidrodrini”. Ndërkaq Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) deklaroi dje se nga gjashtë mostra të testuara të ujit, në dy prej tyre kanë gjetur koloni të dyshuara të baktereve.

Megjithatë, drejtori i IKSHPK, Naser Ramadani, deklaron testimet duhet të vazhdohen të bëhen në laborator, duke shtuar se shkaku i saktë i këtij helmimi nuk është përcaktuar ende.

Sot Komuna e Deçanit ka marrë vendim që të shpallë gjendje emergjente në gjithë territorin e kësaj njësie administrative. Në vendimin që e ka marrë kjo komunë thuhet se “obligohen të gjitha institucionet e nivelit lokal për ngritjen e gatishmërisë për menaxhimin e kësaj situate emergjente të ndodhur pas helmimit të fundit”.

Po ashtu thuhet se drejtoritë si ajo e Shëndetësisë, e Financave, Drejtoria për Mbrojtje, Njësia e Zjarrfikëse, Inspekcioni, QKMF-ja si dhe KRU Hidrodrini e NPL Higjiena janë të obliguar të punojnë me kapacitete të plota njerëzore dhe humane, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të komunës së Deçanit.