Nga Shefqet Kërcelli
3tetor 2015 – Mesditën e sotme në segmentin rrugor para pallatit të sportit “Ramazan Ngjala”, startoi finishi i etapës së tretë të rrethit të 72 –të çiklistik të Shqipërisë. Me këtë rast krahas organizatorëve të eventit më të rëndësishëm ciklistik në vendin tonë, ishin të pranishëm dhjetëra qytetarë durrsakë, dashamirës të këtij sporti, veteranë durrsakë të çiklizmit, etj. Nën duartrokitjet e të pranishmeve, i pari që mbërriti në finishin e kësaj etape ishte ciklisti fierak Marolino Hoxha, i ndjekur nga Oresti Hoxha i Tiranës, dhe i treti ciklisti nga Kosova Qendrim Guri.
Në këtë garë marrin pjesë 8 ekipe të federatës së çiklizmit shqiptar (FSHC) me 40 çiklistë, por dhe 3 ekipe të tjera, një nga Kosova, një nga Novi Pazari dhe tjetri nga Velo Kumanova. Rrethi i 72 çiklistik përfshin 5 etapa: Tiranë-Shkodër, 94.3 km; Shkodër-Burrel, 98.3 km; Burrel-Durrës, 122 km; Durrës-Vlorë, 118 km, duke u finalizuar me etapën e pestë Vlorë-Përmet, 125 km. Gjithsej çiklistët e këtij rrethi do përshkojnë 689.2 km. Mbas mbërritjes së gjithë ciklistëve në finish u organizua ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për fituesit e kësaj etape, të cilat u dorëzuan nga presidenti i FSHC-së, Zenel Anxhaku, sekretari i federatës Abedin Guzja dhe Inspektori i Sportit në Bashkinë Durrës, Edmond Zalla. Anxhaku falenderoi qytetarët durrsakë për pjesëmarrjen në këtë event sportiv, përmendi vlerat e çiklistëve veteranë durrsakë si mjeshtri i madh, Dashamir Rama, etj. dhe falenderoi policinë rrugore të qarkut Durrës për masat e marra në zhvillimin me sukses të kësaj etape çiklistike.
I kontaktuar nga ana jonë, sekretari i kësaj gare, Abedin Guzja, theksoi se rrethi i 72-të çiklistik i Shqipërisë po zhvillohet nën frymën e një gare të fortë sportive, me rivalitet, me bukurinë që të jep pedalimi në kushte terreni të ndryshme dhe rrugë të larmishme, kombinuar me bukuritë e natyrës shqiptare. Si ekipe deri tani në vend të parë është ekipi i Apollonisë, i ndjekur nga ekipi i Teutës. “Meqë jemi në Durrës, po evidentoj djemtë durrsakë me perspektivë në këtë sport të bukur si: Arjan Aliaj, Renato Shabani, Andi Tereziu, Sefedin Hoxha, Sali Ballgjini dhe Ridvan Tafili”, tha Guzja. “Federata jonë si anëtare me të drejta të plota e Federatës Çiklistike Botërore, i ka marrë të gjitha masat që kjo garë të mbyllet me sukses sipas rregulloreve përkatëse të këtij sporti”. Ndërkohë finishi i kësaj etape dhuroi një spektakël të bukur për qytetarët durrsakë, duke thyer monotoninë e këtyre ditëve, por njëherësh solli në vëmendjen e tyre se ka dhe një sport të bukur si çiklizmi, të cilin duhet ta ushtrojnë të gjithë grupmoshat. Gjithashtu mjaft pjesëmarrës në këtë ceremoni u shprehën për shtimin e kujdesit të shtetit për këtë sport të bukur e tërheqës.
/portali DurresLajm/