DURRËS, 28 korrik 2013 – Ishin martuar para një jave dhe teksa bëheshin gati për të shkuar në Amerikë, e diela është kthyer në tragjedi për një familje nga Kukësi. Të kthehesh nga dasma e të përfundosh në varr apo spital, ky paradoks midis gëzimit dhe hidhërimit ka ndodhur të dielën; rrethrrotullimi i Shkozetit vazhdon të “prodhojë” lajme tragjike, sikurse ka ndodhur orët e para të mëngjesit të 28 korrikut 2013, me një të vdekur dhe dy të plagosur nga e njëjta familje. Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut të Durrësit bën të ditur se rreth orës 4:15 të mëngjesit, në rrethrrotullimin e Shkozetit një “benz” i drejtuar nga Ismail Kovaçi, 28 vjeç, është përplasur me trafik-ndarësen dhe me një ndërtesë. Fatkeqësia solli vdekjen në vend të nënës së drejtuesit të makinës, Dallëndyshe Kovaçi, 55 vjeçe, ndërsa të plagosur rëndë kanë mbetur nusja e shoferit, Gerta Kovaçi, 25 vjeçe, dhe i shoqi. Ata po mjekohen në Spitalin Ushtarak, pa rrezik për jetën. Familja Kovaçi kishte qenë në një dasmë, ndërsa në orët e para të mëngjesit po kthehej në shtëpi.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





