Rreze të gjelbra drite kundër migrenës. Sipas një studimi të fundit të realizuar, duket se rrezet e gjelbra reduktojnë ndjeshëm dhimbjet, frekuencën, intensitetin dhe kohëzgjatjen e atakeve të migrenës, duke përmirësuar jetën e pacientëve.
Studimi është përqendruar mbi pacientë që vuajnë nga migrena episodike që numëron deri në 15 në muaj dhe ajo kronike, që numëron mbi 15 raste të prekjes nga dhimbjet e forta brenda 30 ditëve.
Pacientët i janë nënshtruar rrezeve të gjelbra për 10 javë, rreth 2 orë çdo ditë. Si rrjedhojë, ekspozimi ndaj kësaj drite, ka reduktuar deri në 60% dhimbjen dhe në një shkalle me 10, dhimbja nga 8 ka shkuar mesatarisht në 3.
Jeta e pacientëve kishte një përmirësim të dukshëm, pasi rastet e prekjes së dhimbjeve të kokës si pasojë e migrenës ishin përgjysmuar, dhe me efekte pozitive edhe në orët e gjumit.
Autorët e studimit, pjesë e stafit të Universitetit të Mjekësisë në Arizona, vënë në dukje se migrena për botën shkencore është ende sot një sfidë, pavarësisht përparimit teknologjik të njeriut. Megjithatë janë mjaft entuziastë për këtë lloj terapie të re jo farmaceutike dhe do të vijojnë studimet në shkallë më të gjerë për të rikonfirmuar rezultatet.