Një studim i fundit i realizuar nga Healthy Florida First ka ngritur shqetësime pasi zbuloi se disa prej karameleve më të konsumuara në SHBA dhe më gjerë përmbajnë nivele të konsiderueshme arseniku.

Në analizë u testuan 48 produkte të njohura ëmbëlsirash, dhe sipas autorëve të studimit, 28 prej tyre rezultuan me përmbajtje arseniku në nivele që konsiderohen potencialisht të rrezikshme.

Prania e arsenikut në ushqime nuk është diçka e pazakontë.

Sipas Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA), ky metal i rëndë mund të depërtojë në ushqim për shkak të tokës ku rriten produktet ose proceseve të përpunimit. Megjithatë, ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj arsenikut lidhet me pasoja serioze për shëndetin, përfshirë disa lloje kanceri, probleme të lëkurës, sëmundje kardiovaskulare dhe dëmtime neurologjike, veçanërisht tek fetuset gjatë shtatzënisë, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Studimi përmend se ndër produktet e prekura janë edhe disa nga markat më të njohura, si Kit Kat, Snickers, Skittles Original, Swedish Fish, Sour Patch Kids dhe Tootsie Roll.

Megjithatë, Shoqata Kombëtare e Pastiçerive (NCA) kundërshtoi rezultatet e studimit, duke i cilësuar ato si të pasakta. Në reagimin e saj, NCA theksoi se çokollatat dhe karamelet mbeten të sigurta për konsum dhe mund të shijohen si ëmbëlsira, ashtu siç janë konsumuar prej brezash.