Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në zonat e Sukthit dhe të Katundit të Ri në bashkinë e Durrësit për shkak të rrezikut për jetën e qytetarëve nga përmbytjet.
Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektin e Qarkut dhe Strukturat e Emergjencave Civile në bashki.
LAJMËRIMI ZYRTAR PËR EVAKUIM TË MENJËHERSHËM
Në zbatim të:
- Ligjit nr. 45/2019, “Për Mbrojtjen Civile”
- Planit Kombëtar të Emergjencave Civile
- Planeve Vendore të Emergjencave Civile,
si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, do të kryhet evakuimi i menjëhershëm i banorëve të:
Bashkisë Durrës,
Njësisë Administrative Sukth dhe Katund i Ri.
Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me: - Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC)
- Prefektin e Qarkut përkatës
- Strukturat e Emergjencave Civile në bashki
Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin e bashkisë.
Në çdo rast, komunikimi dhe kërkesat për ndihmë duhet t’u drejtohen autoriteteve publike në terren.
Prioritet në procesin e evakuimit kanë: - Fëmijët
- Të moshuarit
- Personat me aftësi të kufizuara
- Familjet në zona të izoluara
Transporti për evakuimin e banorëve do të sigurohet nga: - Mjetet e Bashkisë
- Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH)
- Forcat e Armatosura
MENAXHIMI I STREHIMIT TË TË EVAKUUARVE
Menaxhimi i strehimit dhe asistencës për qytetarët e evakuuar do të realizohet nga Bashkia, në bashkëpunim me: - Policinë e Shtetit
- Njësitë e kujdesit shëndetësor
- Strukturat e shërbimeve sociale, sipas nevojës
Në kuadër të këtij procesi do të sigurohet: - Regjistrimi i të evakuuarve, në momentin e mbërritjes në ambientet e strehimit të përkohshëm
- Administrimi i nevojave bazë, përfshirë ushqimin, veshmbathjen dhe ndihmën mjekësore
- Ofrimi i informacionit periodik për statusin e situatës dhe masat në vijim
Ky njoftim ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë.
Për çdo situatë emergjente, qytetarët të kontaktojnë numrin e emergjencave.





