Itali, 21 mars 2014 – Veli Selmanaj (në foton kryesore), kosovari 46 vjeç që më 16 tetor 2013 vrau të shoqen e të bijën (në foton poshtë), tani rrezikon dënimin e përjetshëm. Gjykatësit nuk kanë pranuar gjykimin e përshpejtuar të kushtëzuar nga një ekspertizë psikiatrike që do të sillte edhe një reduktim të dënimit. Sipas gjykatësve, avokatët e Selmanajt kanë paraqitur me vonesë kërkesën e ekzaminimit psikiatrik të të pandehurit.
Më 16 tetor 2013, Veli Selmanaj u arrestua për vrasjen e të bijës Senade 21 vjeçe dhe gruas Fatime 45 vjeçe. Pak kohë përpara vrasjeve ai ishte përzënë me vendim gjykate nga shtëpia për shkak të padisë së paraqitur nga e shoqja për dhunë edhe seksuale, ndaj të bijës.
Selamaj, që e ka pranuar menjëherë krimin e bërë prej tij, akuzohet pë të dy vrasjet, me rrethanat rënduese të paramendimit dhe të lidhjes së gjakut (për vrasjen e të bijës), si edhe për armëmbajtje pa leje.
Seanca e parë gjyqësore është vendosur të mbahet më 10 prill, në gjykatën për krimet e rënda të L’Aquila-s.
/agjencia e lajmeve Dyrrah”/





