Leonardo Bonuçi nuk është më një i preferuar te Juventusi dhe prej ditësh është përjashtuar nga skuadra e parë.
Ish-kapiteni bardhezi po stërvitet me një pjesë tjetër të skuadrës, ku të gjithë janë të konsideruar të tepërt dhe nuk kanë lidhje me oraret në të cilat skuadra e parë zhvillon stërvitjen.
Kjo ka bërë që mes palëve të ketë tension. Avokati i Bonuçit i ka kërkuar klubit që lojtari të rikthehet në skuadrën e parë ose në të kundërt do të duhet që gjërat të shkojnë drejt rrugëve ligjore.
Në Itali është miratuar mes klubeve dhe ligës një marrëveshje për mbrojtjen e lojtarit, ku të gjithë lojtarët e regjistruar duhet të jenë në skuadër.
Në këtë mënyrë, Juventusi rrezikon shumë. Paga e Bonuçit arrin në 6 milionë euro në sezon, ku ai ka edhe një vit kontratë.
Veç pagës, Juventusi rrezikon të paguajë një dëmshpërblim karshi lojtarit në vlerën e 2 milionë eurove. Tashmë mbetet të shihet se si do të jetë përfundimi i hidhur i një “historie dashurie”.