Sëmundjet e veshkave konsiderohen si vrasëse të heshtura dhe po ndikojnë në shkurtimin e jetëgjatësisë te shqiptarët.
Tetë në 100 persona vuajnë nga mosfunksionimi i veshkave, thonë mjekët dhe në pamundësi për t’i mjekuar për shkak të kostove të mëdha.
“Sëmundjet e veshkave janë rritur në 82 për qind në 10-vjeçarin e fundit. Në Shqipëri kjo shifër ka shkuar në 7 deri në 8 për qind dhe është jashtëzakonisht shqetësuese. Ne shohim që nuk arrijmë dot të ndalojmë këtë trend të sëmundjeve kronike”, thotë mjeku Myftar Barbullushi.
Funksioni kryesor i veshkës është eliminimi i toksinave nga gjaku dhe ujit të tepërt, si dhe kontrollojnë tensionin e gjakut. Por rritja e numrit të pacientëve me hipertension apo diabet ka rritur dhe numrin e njerëzve që kanë probleme të theksuara me mosfunksionimin e veshkave.
Më shqetësues është fakti se sipas mjekëve nefrologë, 2 në 100 të prekur nga sëmundjet e veshkave janë të moshës nga 14 në 16 vjeç.
“Fakti që është shtuar obeziteti, jeta sedentare, që është ulur pjesëmarrja në sport dhe aktivitete lëvizëse; por edhe që fëmijët rrinë me tableta apo para kompjuterit kanë bërë që të rriten shumë mbipesha dhe natyrisht, për pasojë edhe diabeti”, thotë mjeku Barbullushi.
Mjekët rekomandojnë konsum të ujit gjatë ditës, larg kripërave dhe yndyrës, lëvizje të ngadaltë dhe jo të sforcuar, si dhe të ushqyerit shëndetshëm për t’i garantuar funksionim të mirë të veshkave që kanë rol kryesor në organizmin e njeriut.
/ Top Channel /