Të eliminuar nga Kupa e Italisë, me një këmbë jashtë Champions-it dhe në vend të 5-të në kampionat… Bardhezinjtë kanë dyshime për të ardhmen. Humbja e fundit 5-2 për Juventusin i takonte Botërorit të klubeve, kur në stol ishte Tudor dhe përballë Manchester City i Guardiolës. Rreth 8 muaj më pas Juventusi ka një trajner të ri, por të njëjtat probleme, që vështirë se mund të fshihen. Pyetjet pas turpërimit në Turqi janë të shumta, sepse skuadra e trajnerit Spalletti ka dalë nga Kupa e Italisë, rrezikon shumë të dalë edhe nga Champions-s dhe, nëse Serie A do të përfundonte sot, do të ishte jashtë kompeticionit më të rëndësishëm edhe sezonin e ardhshëm.
Për të mos harruar, bardhezinjtë janë -15 pikë prapa Interit. Nga 2020-a, viti i titullit të fundit, Juventusi ka fituar vetëm Superkupën e Italisë dhe një Kupë Italie. Në Champions, gjithmonë në të njëjtën periudhë, ka dalë në 1/8-at, përveç vitit kur nuk kaloi grupin dhe sezonit të kaluar, pas dështimit në Play-off (siç mund të ndodhë edhe këtë sezon). Pesë trajnerë, të njëjtat rezultate. Drejtues të ndryshëm dhe dështime të ngjashme.
Vështirë të fajësosh trajnerin Spalletti, i cili ka bërë maksimumin me grupin që ka në dispozicion dhe po lufton t’i japë skuadrës personalitet. Por, nëse situata nuk ndryshon, rinovimi i trumpetuar deri në 2028-ën vihet në diskutim. Është logjike të mendohet se Spalletti do të qëndrojë në stol, për koherencë dhe për faktin se në klubin bardehzi të gjithë mendojnë se nuk ka alternativa në lartësinë e duhur. Nga dikush duhet rinisur. Me një dozë të mirë durimi. Ciklet fituese ndërtohen kështu.





