Pranverën e vitit 2016, dy vogëlushë Aliçe dhe Dritan, 3 dhe 5 vjeç humbën jetën në autostradën Durrës-Kavajë, kur ndarësja metalike e rrugës përshkoi mes për mes makinën që drejtohej nga nëna e tyre. Trafikndarësja në atë vend ishte hequr në mënyrë të paligjshme për t’i lënë rrugë kalimi makinave tek një karburant në anë të rrugës. U desh të ndodhte aksidenti tragjik që sinjalistika rrugore të shkonte në vend, ndërsa të dy vogëlushët u bënë dy vjet që nuk janë më në jetë.
Ky është një prej qindra shembujve që të vjen në mendje si ngjarje që kanë lënë shenjën e tyre të zezë në jetën tonë të përditshme, që e ndërtojmë me shumë mund në këtë vend. Ka me dhjetëra raste të tillë po kaq tragjikë, që për faj të një personi apo të një institucioni; që për shkak të punimeve që i bëjnë keq, ose nuk e bëjnë fare; që për shkak të babëzisë në vjedhjen e fondeve në rrugë, nuk e ndërtojnë aksin fare; që për shkak të vjedhjes së fondeve për sinjalistikën rrugore, kjo e fundit nuk është!
Janë me dhjetëra arsye për t’i renditur, se pse ka kaq shumë të vdekur në rrugët tona, aq sa ndonjëherë krahasohet me bilanc lufte!
Rrugët tona janë kthyer në gllabërueset më të mëdha të jetëve njerëzore me një ritëm gati çmendurak, por fakti është se askush, asnjë institucion apo drejtues i tyre nuk mban as përgjegjësi ligjore, as morale.
Dal në këtë përfundim sepse autostrada Durrës- Tiranë, e cila ka mbingarkesën më të madhe të automjeteve e të qarkullimit në raport me çdo segment tjetër rrugor ka përfunduar si në rrugë fshati, në të cilën po se pate mendjen, gropa e radhës të “ha kokën”. Nga Qafë Kashari, në Vorë – Maminas -Sukth e Durrës, dhe anasjelltas, autostrada nuk ka më asnjë kalim për lëvizjen e mjeteve.
Nëse deri pak muaj më pare, korsia e shpejtësisë mbetej e vetmja në të cilën mund të udhëtoje me shpejtësinë e lejuar 90 km në orë, tani edhe kjo korsi është kthyer në një varr të hapur për të gjithë ata që lëvizin në këtë rrugë. Korsia tjetër e mjeteve të rënda prej kohësh ishte dëmtuar shumë rëndë, përgjatë gjithë gjatësisë së rrugës.
Kjo korsi është bërë gropa-gropa, ndërsa asfalti është zhdukur krejtësisht. Automjetet kalonin të gjitha në korsinë e shpejtësisë, por tashmë edhe ajo dëmtohet në shumë pjesë të saj.
Në të dy senset Durrës-Tiranë e anasjelltas është e njëjta situatë, mjete që për t’i shpëtuar gropës që del në autostradë rrezikojnë të dalin jashtë rruge ose të përfundojnë të aksidentuar.
Këtu po flasim për mungesën e asfaltit, elementi kyç që një rrugë të funksionojë, sepse elemetët e tjerë kanë munguar me kohë.
Por asfalti, si element kyç i mbylljes së gropave, ka nisur të hidhet kuturu, duke u munduar të bëhet ‘make up-i’ i zakonshëm i këtij segmenti rrugor. Institucionet përgjegjëse “gjasme” po bëjnë sikur po riparojnë autostradën.
Prej fillimit të vitit, hidhet asfalt duke arnuar edhe njëherë arnimet e krijuara prej vitesh në këtë aks. Këto arnime pa asnjë lloj kriteri teknik, në rastin më të mirë të nxjerrin gurët e veshkave, e në rastin më të keq ta kthejnë makinën përmbys. Makina që përmbysen e persona të aksidentuar numërohen çdo ditë në këtë segment.
Të mos flasim pastaj për palmat që u mbollën e u shkulën; për përmbytjen e autostradës në disa raste gjatë dy viteve të fundit; për mungesën e sistemit të kanalizmeve në këtë aks: për ndriçimin copë – copë dhe për fondet që ka ‘ngrënë e po ha’ çdo ditë.
Dreqin! Pse vetëm qytetarët udhëtojnë në këtë rrugë? Me helikopter lëvizin ministrat tanë, po kryeministri?! Nuk vjen ai në Durrës për një pjatë peshk në fundjavë?! Vetëm qytetarët e ndjejnë se makinat e tyre po dalin jashtë përdorimit për shkak të kësaj rruge? Po taksat që i paguajnë për qarkullimin ku shkojnë?
Autostrada Durrës -Tiranë vetëm emrin ka të tillë, ndërsa fonde ka “ngrënë” me shumicë, njësoj si jetët e njerëzve që udhëtuan e mbetën në të.
Tani kujdes!!! Gropat e hapura janë burim i një aksidenti të mundshëm në çdo kohë!
Zot, kurseja vdekjen shqiptarëve në autostradën Tiranë –Durrës!
K.H.