Reshjet e shiut të orëve të fundit kanë krijuar një situatë problematike në njësitë administrative të Durrësit, pasi shumë sipërfaqe toke dhe banesa janë përmbytur.

Situata ka qenë më e rëndë në NJA-të Ishëm, Manzë dhe Sukth të Durrësit, por edhe në zonën e Borizanës dhe Muriqanit bën të ditur për “DurrësLajm” prefekti i qarkut Emiljan Jani.

Në zonën e Manzës janë përmbytur rreth 44 shtëpi, ndërsa në Ishëm ka qenë nën ujë një banesë. Niveli i ujit brenda në shtëpi nuk ka qenë shumë i lartë dhe për këtë arsye deri më tani nuk po mendohet për evakuimin e familjeve të prekura.

Ndërkohë, të gjitha akset kombëtare dhe ajo dytësore në qarkun e Durrësit janë të kalueshme, ndërsa uji po tërhiqet.

Në terren po ndërhyjnë me mjete të rënda ekipet e Bordit të Kullimit dhe Ndërmarrjes Rruga për të pastruar kanalet kulluese, me qëllim largimin e ujit.

Për shkak se reshjet deri më tani nuk kanë qenë me intensitet shumë të lartë, situata po shkon drejt normalizimit bën të ditur prefekti.

Ndërkohë, situata është duke u monitoruar orë pas ore nga Emergjencat Civile, pasi dita e martë dhe ajo e mërkurë janë parashikuar si ditë me reshje të konsiderueshme, të cilat mund të shkaktojnë përmbytje.

M.B.