Një foto mjafton për të hakeruar dy nga çatet më popullore, WhatsApp dhe Telegram.
Virusi është i fshehur në brendësi të një fotoje, që duket i pafajshëm nga pamja. Në momentin që përdoruesi klikon mbi foton e hakeruar mund t’i japë akses të plotë të dhënave të arkivuara të përdoruesit e mund t’u dërgojë viruse edhe kontakteve, duke krijuar një rrezik potencial shpërndarjeje.
Ky virus është zbuluar nga studiuesit e Check Point Software Technologies, që kanë lajmëruar këto dy shoqëri për këtë kërcënim në nivel global.
WhatsApp me mbi një miliard përdorues është për momentin shërbimi mesazhor më i përhapur në botë. Telegram numëron 100 milionë përdorues mujorë aktivë që dërgojnë më shumë se 15 miliardë mesazhe në ditë. Të dyja kanë një sistem sigurie të bazuar në kriptografinë ‘end-to-end’, që do të thotë se mesazhet deshifrohen vetëm nga personat që po komunikojnë dhe nga askush tjetër.
Është pikërisht ky sistem, origjina e këtij virusi, pasi WhatsApp dhe Telegram nuk mund të shohin përmbajtjen dhe janë të paaftë të ndërhyjnë për të ndaluar dërgimin e viruseve në formë mesazhesh.





