Që nga dita e sotme në hapësirat publike të Bashkisë Durrës si shëtitorja “Taulantia”, shëtitorja e Plazhit dhe sheshi Liria ndalohet qarkullimi me monopatina elektrike, motorë dhe biçikleta elektrike.

Në shëtitoren Taulantia, siç duket edhe në fotot që po publikojmë, janë vendosur sinjalistika vertikale që paralajmëron përdoruesit e këtyre mjeteve se nga sot e në vazhdim ndalohet qarkullimi me to në hapësirat publike të dedikuara këmbësorëve.
Ka qenë një vendim i Kryetares së Bashkisë, Emiriana Sako, që ndalon përdorimin e këtyre motomjeteve, ndërkohë që policia bashkiake do të ndëshkojë me masa administrative përdoruesit që nuk do të zbatojnë këtë vendim.

“DurrësLajm” trajtoi disa ditë më parë problematikat që shkaktojnë këto motomjete në shëtitoret e frekuentuara nga qytetarët e Durrësit.
Në shëtitoren bregdetare të Durrësit, ata i sheh shpesh pasditeve dhe mbrëmjeve, ndërsa qarkullojnë me shpejtësi mes familjeve që kanë dalë për të shëtitur. Në shumë raste bëjnë manovra të rrezikshme mes kalimtarëve, apo mbajnë frenat “gozhdë”, kur ndonjë vogëlush u pret rrugën.






