Nëse zgjimi i shpeshtë gjatë natës është një dukuri e përditshme për ju, atëherë shanset tuaja për të vdekur para kohe nga sëmundje kardiovaskulare ose një shkak tjetër rriten, me gjasat edhe më të larta për gratë, sipas një studimi të ri.
Gjumi i ndërprerë mund të shkaktohet nga faktorë të ndryshëm të jashtëm si zhurma, ndryshimi i temperaturës, por edhe nga faktorë fizikë si dhimbja apo apnea e gjumit. Studimi është publikuar në revistën European Heart Journal.
Për studimin e ri, studiuesit analizuan të dhënat nga gati 8,000 pjesëmarrës nga tre sondazhe që zgjasin mesatarisht 11 vjet. Rezultatet treguan se gratë që kishin zgjime të shpeshta për një periudhë më të gjatë kohore kishin gati dy herë më shumë rrezik të vdisnin nga sëmundjet kardiovaskulare ose shkaqe të tjera në krahasim me gratë që kishin gjumë më të qëndrueshëm.
Ata burra, nga ana tjetër, të cilët kishin ndërprerë shpesh gjumin, kishin 25% më shumë gjasa për vdekje të hershme nga sëmundjet kardiovaskulare në krahasim me ata që kishin një rutinë të vazhdueshme të gjumit.
Por si shpjegohet ky dallim mes femrave dhe meshkujve?
“Gratë dhe burrat kanë mekanizma të ndryshëm kompensues për t’u marrë me efektet e dëmshme të gjumit të paqëndrueshëm,” shpjegon autori i studimit Dominik Linz dhe profesori i asociuar i kardiologjisë në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Mastrihtit në Holandë.
Megjithatë, pse gjumi i shqetësuar mund të çojë në vdekje të hershme nuk është kuptuar plotësisht nga shkencëtarët dhe hulumtimi nuk ishte krijuar për të provuar një marrëdhënie shkak-pasojë. Por ka disa teori që nxjerrin në pah autorët e një artikulli shoqërues të studimit të ardhshëm.
“Shumë njerëz me cilësi të dobët të gjumit janë gjithashtu në rreziqe të tjera për sëmundjet e zemrës, duke përfshirë obezitetin, presionin e lartë të gjakut, diabetin dhe sëmundjet e mushkërive,” tha autori i artikullit shoqërues Dr. Valentin Fuster, drejtor i Departamentit të Kardiologjisë në Spitalin Mount Sinai në Nju Jork.
Sigurisht, stresi nuk mund të mungonte në këtë listë, pasi mund të dëmtojë gjumin tonë të mirë dhe të krijojë probleme të ndryshme për shëndetin tonë: “Gjatë gjumit të shkurtër ose të ndërprerë, aktivizimi i sistemit nervor simpatik dhe inflamacioni mund të luajnë një rol të drejtpërdrejtë”.
Kur sistemi nervor simpatik aktivizohet, hormonet e stresit lëshohen në trupin tonë që rrisin rrahjet e zemrës dhe presionin e gjakut, gjë që nëse ndodh shpesh, rrit rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare gjatë jetës sonë.