Një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko, ka thënë se në bordin e aeroplanit Antonov që u rrëzua në Greqi të shtunën vonë kishte shtetas ukrainas.

“Në Greqinë veriore, një aeroplan transporti ukrainas AN-12 që transportonte një ngarkesë të rrezikshme në linjën Serbi-Jordani-Bangladesh u rrëzua. Ekuipazhi përbëhej nga tetë shtetas ukrainas. Shkak i aksidentit është prishja e njërit prej motorëve”, ka shkruar ai në Facebook.

Siç ka bërë të ditur më tej Nikolenko, një seli operative u hap në Selanik me urdhër të kreut të diplomacisë ukrainase, Dmytro Kuleba.

“Konsujt ukrainas kanë mbërritur tashmë në vendin e katastrofës dhe po ndërveprojnë me ekipet e shpëtimit dhe forcat e rendit të Greqisë për të hetuar rrethanat e incidentit. Aktualisht po punohet për shuarjen e zjarrit”.

Një aeroplan mallrash u rrëzua pranë qytetit të Kavalës në Greqinë veriore të shtunën vonë, ka thënë brigada e zjarrfikësve dhe televizioni shtetëror.

Sipas Reuters, televizioni shtetëror Ert raportoi se aeroplani ishte një Antonov An-12 në pronësi të një kompanie ukrainase, që po fluturonte nga Serbia në Jordani.

Piloti kishte kërkuar një ulje emergjente për shkak të një problemi me motorin, por sinjali i tij humbi.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviqc, ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp të dielën në lidhje me rrëzimin e aeroplanit ukrainas që po fluturonte nga Serbia në Jordani dhe u rrëzua në Greqi.

Stefanovic ka konfirmuar se aeroplani është nisur nga aeroporti i Nishit të shtunën në orën 20:40 dhe se po bartte municione të kompanisë serbe Valir për Ministrinë e Mbrojtjes së Bangladeshit.

Në këtë drejtim, ai ka bërë të ditur se aeroplani po transportonte rreth 11.5 ton produkte të industrisë serbe të dedikuar te klienti përfundimtar në Bangladesh.