Këshilltarët e PD-së dhe LSI-së bashkuan mbrëmë votat në Këshillin Bashkiak duke rrëzuar paketën fiskale me ndryshimet e propozuara nga bashkia Durrës për taksat dhe tarifat vendore.
Drafti i paketës fiskale u rrëzua me 20 vota kundër të këshilltarëve të PD-së dhe LSI-së, ndërsa u ngritën 19 kartonë jeshil dhe një i bardhë (abstenim).
Ishte Jonida Mamo nga PDIU-ja këshilltarja që ngriti kartonin e bardhë, duek abstenuar kështu për paketën fiskale.
Në fillim të mbledhjes, këshilltarët e PD-së propozuan zerimin e taksave vendore në fshatra, ku nuk ofrohet asnjë shërbim nga bashkia. Në të njëjtën linjë ishin edhe këshilltarët e LSI-së, të cilët thanë se taksat vendore nuk mund të vendosen apriori duke u ndalur veçanërisht tek taksa mbi pasurinë, e cila ka ndryshuar me vendim qeverie.
Drejtori i tatim taksave në Bashkinë Durrës, Abdyl Koka dha sqarimet përkatëse për draftin e hartuar. Ndërkohë, këshilltari demokrat Armand Teliti shtroi pyetjen nëse do të merren parasysh propozimet dhe vërejtjet e bëra nga këshilltarët e PD-së dhe LSI-së.
Kur u hodh në votë kjo pikë e rendit të ditës, bashkimi i votave të PD dhe LSI hodhi poshtë draftin e paketës fiskale.





