Rrëzimi i Qeverisë vlerësohet të jetë mision shumë i vështirë për LDK-në dhe për LVV-në që së bashku kanë 46 deputetë, ndërsa 12 deputetët e GDP-së shprehen të rezervuar sa i përket kësaj ideje. Analistët thonë se vështirë që do të ketë zgjedhje para vjeshtës së këtij viti.
Edhe pse koalicioni qeverisës tashmë është duke funksionuar me vetëm 53 deputetë në Kuvendin e Kosovës rrëzimi i Qeverisë nuk do të jetë mision i lehtë për t’u realizuar.
Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët thonë se për rrëzimin e Qeverisë nuk janë të interesuara të gjitha subjektet opozitare.
Edhe pse lëvizja “Vetëvendosje” është deklaruar pro mocionit dhe zgjedhjeve të parakohshme, analistët vlerësojnë se kësaj partie dhe as Grupit të Pavarur të Deputetëve nuk u konvenojnë zgjedhjet në rrethanat e tanishme, shkruan më tutje “Zëri”.
Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës sërish ka paralajmëruar ngritjen e mocionit në qoftë se partitë politike nuk bien në ujdi për caktimin e një date për zgjedhje të parakohshme.
Ndërkohë nga koalicioni qeverisës shprehen të bindur se opozita nuk i ka numrat për ta realizuar synimin e saj.
Ndërkaq, përfaqësuesit e GDP-së gjatë ditës së djeshme kanë deklaruar se në situatën e tanishme nuk mund të flitet për zgjedhje të parakohshme.