Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte u shpreh optimist pas zhvillimeve të fundit në Siri, duke bërë thirrje për tranzicion paqësor të pushtetit dhe proces politik gjithëpërfshirës.
“Ky është një moment gëzimi, por edhe pasigurie për popullin e Sirisë dhe rajonit. Shpresojmë për një tranzicion paqësor të pushtetit dhe një proces politik gjithëpërfshirës në të cilin fjalën e parë do ta kenë sirianët”, tha Rutte në një deklaratë.
Ai theksoi gjithashtu nevojën që udhëheqësit rebelë sirianë të mbështesin sundimin e ligjit, të mbrojnë civilët dhe të respektojnë pakicat fetare gjatë tranzicionit.
Në të njëjtën kohë, ai kritikoi Rusinë dhe Iranin, si mbështetësit kryesorë të regjimit të rrëzuar të Bashar al-Asad, për rolet e tyre në luftë dhe tha se Rusia dhe Irani e braktisën Asadin kur ai nuk u shërbente më interesave të tyre.
Rutte shtoi se Moska dhe Teherani ndajnë përgjegjësinë për krimet e kryera kundër popullit sirian.