TIRANË, 10 qershor 2013 –Në Evropën qendrore qeveritë po merren me përmbytjet, në Shqipëri, dhe pse në prag rreziqesh, ka 10 ditë që nuk bëhet parashikim, ndoshta ngaqë Universiteti Politeknik i Tiranës mund të jetë angazhuar në fushatë elektorale.

Që nga 31 maji 2013 qendra kombëtare për parashikimin dhe monitorimin e rreziqeve natyrore nuk nxjerr buletinin e rrezikut nga dukuritë hidrometeorologjike.

Sipas vet sajtit të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të Universitetit Politeknik të Tiranës, ky buletin i dedikohet më shumë parashikimit të reshjeve, si një nga rreziqet më të rëndësishëm në Shqipëri.

Buletini mbulon një periudhe 36 orësh, duke filluar nga mesdita e ditës korrente deri në fund të ditës së ardhshme, duke ofruar një parashikim të detajuar për çdo qark të Shqipërisë (12 gjithsej).

Ato qarqe që kanë të bëjnë me lumin Drin, janë ndarë në dy ose tri pjesë, për të monitoruar më mirë situatën.

Për çdo qark jepet mesatarja e reshjeve, maksimumi lokal dhe, nëse e pranishme, edhe reshjet që tejkalojnë vlerën e 30 mm në 3 orë (mundësi për stuhi).

Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet qeverive të Italisë dhe Shqipërisë, pranë Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të Universitetit Politeknik të Tiranës është ngritur qendra për parashikimin dhe monitorimin e rreziqeve natyrore.

Kjo qendër trajton kryesisht dy nga rreziqet më të mëdha në Shqipëri: zjarret në pyje gjatë stinës së verës edhe përmbytjet, gjatë stinëve të lagështa.

Për këtë qëllim, qendra përgatit çdo ditë buletinin e rrezikut të zjarreve në pyje dhe një buletin të paralajmërimit meteorologjik gjatë stinëve të lagështa.

Ka një paradoks: ndërkohë që stina është me vranësira dhe shira, bëhet parashikimi i zjarreve, por jo ai i paralajmërimit meteorologjik.

Shkrehja e administratës së institutit në një mot të paqëndrueshëm ka pasoja për popullsinë.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/