Stuhitë e ditëve të fundit kanë shkulur pemë me rrënjë në varrezat e vjetra publike të qytetit të Durrësit. Si pasojë e rrëzimit të pemëve, në pjesën e varrezave ortodokse, një numër i madh varresh janë dëmtuar rëndë, ndërsa banorët thonë se kjo situatë sjell edhe nxjerrjen në sipërfaqe të eshtrave të të vdekurve.      

Të vdekurit në varreza nuk kanë zë të flasin pasi shkojnë në banesën e tyre të fundit. Ata nuk mund të tregojnë apo të ankohen dot se pemët u janë shkulur me rrënjë dhe eshtrat u përfundojnë mbi tokë. Banorët shprehen se në varrezat e vjetra duhet më shumë ndërhyrje, sepse puna e punonjësve të komunales është e pamjaftueshme. Në çdo sipërfaqe, madje edhe në rrënjët e pemëve, janë hapur varre të reja, duke bërë që pemët e varrezave të thahen e të rrëzohen duke sjellë dëme shumë të mëdha në varre.  

Në varrezat e vjetra publike banorët thonë se duhet më shumë vëmendje nga ana e ndërmarrjes komunale që është në varësi të bashkisë. Apeli i banorëve të Durrësit u drejtohet pikërisht strukturave përgjegjëse të marrin masa konkrete, sepse të vdekurit nuk mund të flasin. 

K.H.