Historiani i njohur shqiptar Kastriot Dervishi ka nxjerrë në dritë detaje të reja rreth luftës italo-greke, ku një pjesë e saj u zhvillua edhe në territorin shqiptar.

Ndërsa dje ka zbuluar se nisja e zhvarrimit në Dragot të Tepelenës për gjetjen e trupave të ushtarëve grek nuk ishte e herë e parë, por e dytë, sot ai ka dhënë detaje rreth pretendimit të shtetit grek për varrezat e ushtarëve dhe faktet e raportimit në 1985 ku shifrat nuk përputhen.

Ai ka dhënë detaje historike rreth asaj çfarë është raportuar në 1985, ku sipas tij qeveria shqiptare mund ta kishte mbyllur çështjen që në atë kohë ashtu siç bëri me shtetin italian për ushtarët e rënë në territorin shqiptar.

Postimi

Italianët dhe grekët e Luftës Italo-Greke

Lufta Italo-Greke u zhvillua në tetor 1940 deri në prill 1941. Nisi si agresion i Italisë ndaj shtetit grek dhe përfundoi me ndërhyrjen gjermane në Ballkan. Për një kohë jo të vogël (14 nëntor 1940-26 mars 1941) ajo u zhvillua brenda territorit shqiptar, në të cilin vepruan 15 divizione greke dhe 27 divizione italiane.

Italianët i zhvarrosën dhe më pas tërhoqën eshtrat e ushtarëve të tyre në vitet 1958-1960, pas marrëveshjes midis Shqipërisë dhe Italisë të datës 22.11.1957. Pala italiane caktoi në delegacionin e vet gjeneralin në rezervë Domenico Bandini, kapitenin Giovani Sinici dhe priftërinjtë Don Bertozi dhe Don Morrezo, të cilët erdhën më 15.2.1958. Gjenerali italian, më parë kishte shërbyer në Shqipëri në vitet 1929-1938 në shkollën e artilerisë.

Çështja e ushtarëve grekë ngeli e zgjatur në kohë, për shkak të politikave jo të qarta të shtetit komunist shqiptar, i cili mund ta kishte mbyllur përfundimisht duke iu përgjigjur kërkesës së parë të Greqisë për tërheqjen e plotë të tyre. Pretendimi i Greqisë ka qenë për kërkimin e 12-13 mijë ushtarëve të vrarë ose të ngrirë në Shqipëri. Referuar identifikimit të vitit 1985, zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë Komunale raportuan ekzistencën e 2.251 varreve të ushtarëve grekë në Shqipëri. Siç edhe shihet, midis asaj që është identifikuar në terren dhe asaj që pretendohet, ka luhatje të mëdha.