Marília Mendonça, një nga këngëtaret më të njohura të Brazilit, ka humbur jetën në një aksident ajror në moshën 26-vjeçare.
Katër persona të tjerë – xhaxhai i saj, producenti dhe dy anëtarë të ekuipazhit – vdiqën gjithashtu në aksidentin e ndodhur në një zonë rurale në shtetin juglindor të Minas Gerais.
Një hetim ka nisur për të përcaktuar shkakun e rrëzimit.
Një nga emrat më të mëdhenj të muzikës country braziliane, me rreth 40 milionë ndjekës në Instagram, Mendonça e filloi karrierën e saj në adoleshencë dhe u bë një yll kombëtar në vitin 2016 me një hit për tradhtinë. Ajo njihej si “Mbretëresha e vuajtjeve” country. Mendonça është shpallur fituese e një Latin Grammy në vitin 2019.
Vitin e kaluar, ndërsa koncertet u anuluan për shkak të pandemisë, ajo performoi në një seri koncertesh online. Njëri prej tyre vendosi rekordin e transmetimit të drejtpërdrejtë më të ndjekur në botë, me 3.3 milionë shikues në YouTube.
Në vitin 2020, ajo ishte artistja më e dëgjuar në Brazil në Spotify.
Mendonça, e cila ka një djalë 2-vjeçar, do të performonte në një koncert të premten në mbrëmje në qytetin Caratinga, 12 km nga vendi i përplasjes. Disa orë para aksidentit, ajo postoi një video në rrjetet sociale në të cilën përgatitej të hipte në avionin privat.