Një avion pasagjerësh nga Ukraina është rrëzuar në Iran.

Sipas mediave lokale, një Boeing-737 me 176 pasagjerë në bord është përplasur në Iran.

Gjysmëhëna e Kuqe e Iranit tha se nuk ka asnjë shans për të gjetur persona të mbijetuar.

Avioni që i përkiste Kompanisë Ndërkombëtare të Ukrainës u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga aeroporti iranian Imam Khomeini në Teheran, tha agjencia e lajmeve shtetërore Fars.

Raportet paraprake thonë se avioni ishte në rrugë drejt kryeqytetit ukrainas, në Kiev.

Është e paqartë nëse incidenti është i lidhur me tensionet Iran-SHBA.

Ekipet e shpëtimit janë dërguar në zonë, afër aeroportit, ku u rrëzua avioni.

Kreu i Gjysmëhënës së Kuqe të Iranit u tha mediave shtetërore se ishte “e pamundur” që dikush të mbijetonte nga përplasja.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se po bëhen përpjekje për të sqaruar rrethanat e përplasjes dhe numrin e vdekjeve.

“Ngushëllimet e mia të sinqerta për të afërmit dhe miqtë e të gjithë pasagjerëve dhe ekuipazhit,” tha ai në një deklaratë.