Dy shtetas të Kosovës, janë lënduar pasi avioni i vogël sportiv me të cilin po fluturonin u rrëzua në Liqenin e Mavrovës sot më 12 dhjetor.
Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë tha se shtetasit e Kosovës Xh.P. (41 vjeç) dhe D.M. (64 vjeç) janë dërguar në Spitalin e Gostivarit për trajtim mjekësor.
Avioni i vogël, sipas këtij institucioni, u rrëzua në Liqenin e Mavrovës, afër digës Kanali i Beliçit, në orën 12:35.
“Sipas raportimit, nga avioni në tokë kanë arritur të dalin dy shtetas kosovarë, XH.P. dhe D.M., i cili drejtonte mjetin fluturues. Ata kanë pësuar lëndime dhe janë transportuar në Qendrën Mjekësore Gostivar për të marrë ndihmë mjekësore”, tha ky sektor.
D.M.,u tha policëve që dolën në vendngjarje se avioni që ai drejtonte kishte një problem në motor dhe ai më pas ateroi në liqen.
Qendra për Menaxhimin e Krizave në Maqedoninë e Veriut njoftoi se pas marrjes së informacionit për rrëzimin e avionit, menjëherë në vendngjarje dolën ndihma e shpejtë, qendra rajonale e menaxhimit të krizave për ndërhyrje të shpejtë dhe Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë.
Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, avioni i markës Piper mund të transportojë deri në katër persona. Fluturakja e rrëzuar është prodhuar në vitin 1961 dhe është e regjistruar në Shtetet e Bashkuara në emër të D.M.
Fluturakja që u rrëzua kishte qarkulluar edhe më herët në hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut dhe kishte marrë pjesë edhe në ngjarje të aviacionit, sikurse një shfaqje ajrore e organizuar në Shkup më 2023, shkruan REL.





