Tiranë, 16 korrik 2014 – Gjykata e Lartë ka rrëzuar dënimin me burgim të  përjetshëm për Lulzim Berishën, i cilësuar nga Prokuroria si kreu i “Bandës së Durrësit”. 

Kjo gjykatë vendosi masën 25 vjet burg për Berishën, ndërkohë që la në fuqi vendimet e dhëna nga Gjykata e Krimeve të Rënda për pjesëtarët e tjerë të bandës.

Lulzim Berisha akuzohet për vrasje të kryera në vitet 1998-2000 dhe sipas Kodit Penal të këtyre viteve dënimi që parashikohej për këto krime ishte deri në 25 vite burg.

Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë me relator gjyqtarin Tom Ndreca, në kohën kur Lulzim Berisha ka kryer krimet nuk ekzistonte në ligj koncepti “organizatë kriminale”.

Gjykata e Lartë vendosi gjithashtu rigjykimin e Plarent Dervishit, një tjetër të pandehuri të bandës së Durrësit, i cili është dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm. Vendimi për rigjykim, sipas Gjykatës së Lartë bëhet për shkaqe procedurale. 

Me burg përjetë janë dënuar gjithashtu Endrit Dokle dhe Indrit Taollaj. Edhe i penduari Adriatik Coli është dënuar me burgim të përjetshëm, por për faktin se ka bashkëpunuar me drejtësinë, gjykata vendosi ta dënoje përfundimisht me 10 vite burg.  Të pandehurit e tjerë të bandës janë dënuar me masa që variojne nga 10 deri në 25 vite burg.
 
Të pandehurit e "Bandës së Durrësit" akuzohen për pjesëmarrje në organizatë kriminale, vrasje dhe trafiqe ilegale. Banda e Durrësit e nisi aktivitetin e saj kriminal në vitin 1998 dhe vepronte kryesisht në Durrës. Goditjen ajo e mori në vitin 2005, kur autoritet e rendit arrestuan anëtaret e dyshuar të saj.  

 

Dënimet e Gjykatës së Krimeve të Rënda për anëtarët e Bandës së Durrësit

16 anëtarët e bandës janë dënuar me 4 burgime të përjetshme dhe me 245 vite burg.

Ata akuzohen për së paku 9 vrasje, krijime të bandës së armatosur, grabitje, pengmarrje, trafik droge, prostitucion. Gjykata ka vendosur të dënojë me burgim të përjetshëm drejtuesit e kësaj bande Lulzim Berishën, Endrit Doklen, Indrit Taullain dhe të shumëkërkuarin Plaurent Dervishajn.

Për të penduarin Adriatik Coli u vendos burgimi i përjetshëm, por për faktin se ky i fundit ka bashkëpunuar me drejtësinë, gjykata vendosi ta dënojë përfundimisht me 10 vite burg.

Coli ka rrëfyer disa episode kyçe, ku janë përshkruar me detaje momentet e ekzekutimeve të anëtarëve të kësaj bande famëkeqe. Ndërkohë me 25 vite burg janë dënuar të pandehurit Sardian Sulejmani, Elvin Hoxhosmali, Altin Olloni e Kujtim Buna.

Me nga 20 vite burg janë dënuar Alban Neli, Kristian Begu, Ahmet Ajeti, Osman Korpuzi e Altin Nikolla, ndërsa për të pandehurin Spartak Kalthi, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dënimin me 10 vite burg për faktin se gjatë kohës së kryerjes së krimeve, Kalthi ka qenë minoren.

 

Krimet e bandës

Banda kriminale ka nisur të veprojë në Durrës prej vitit 1998, kur Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun.

Seriali i vrasjeve u bë edhe më i qartë kur në pranverën e vitit 2006 u arrestuan shtatë persona, mes të cilëve katër të akuzuar si vrasës me pagesë.

Njëri prej tyre, Adriatik Coli u pendua dhe bashkëpunoi me drejtësinë pas riatdhesimit nga Italia, duke treguar një pjesë të mirë të shkaqeve dhe autorëve të ngjarjeve kriminale.

17 tetor 1998

Organizata kriminale e drejtuar nga Lulëzim Berisha dhe Klodian Saliu akuzohet për vrasjen e shtetasit Dritan Sallaku, më 17 tetor të vitit 1998 në qytetin e Durrësit. Kjo mbahet si vepra e parë kriminale e këtij grupi.

29 tetor 1998

Pa kaluar as dy javë nga vrasja e parë, organizata e Berishës dhe Saliut akuzohet se ka kryer dy vrasje të tjera. Bëhet fjalë për ekzekutimin e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja më 29 tetor 1998. Në këtë ngjarje u plagos edhe Marsel Sotiri.

22 gusht 1999

Një vit më vonë, i vetmi person që arriti t’i mbijetojë atentatit të 29 tetorit 1998, është zënë në pusi nga ana e grupit të Berishës dhe Saliut. Më 22 gusht 1999, Marsel Sotiri ekzekutohet në një pritë, në lagjen Plazh të qytetit të Durrësit.

9 korrik 2000

Organizata kriminale, e drejtuar nga Lulëzim Berisha dhe Klodian Saliu, akuzohet nga prokuroria e policia edhe për një tjetër vrasje. Këtë herë ata kanë kryer atentatin ku u vra shtetasi Dritan Disha. Kjo vrasje ka ndodhur më 9 korrik 2000 në fshatin Shënavlash të Durrësit

14 janar 2002

Një tjetër vrasje i është faturuar organizatës kriminale Berisha- Saliu. Më 14 janar të vitit 2002 i kanë zënë pritë dhe më pas ka kryer ekzekutimin e shtetasit Ervin Lame në lagjen numër 3 të Durrësit

Janar 2003

Në vitin 2003, si pasojë e kontradiktave të brendshme, organizata është ndarë në dy organizata të tjera, të kryesuara respektivisht nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu. Të dyja këto organizata tashmë janë bërë rivale të njëra- tjetrës duke filluar një luftë ndërmjet tyre.

26 shkurt 2005

Pas kësaj ndarjeje, organizata e kryesuar nga Lulzim Berisha ka marrë hak ndaj rivales së saj duke organizuar atentatin për vrasjen e Klodian Saliut. Kjo vrasje është kryer në autostradë më datë 26 shkurt të vitit 2005, pranë fshatit Maminas të rrethit të Durrësit.

13 tetor 2005

Vetëm 9 muaj ka vonuar kundërpërgjigjja e ish- organizatës së Klodian Saliut. Tashmë ajo drejtohet nga Indrit Dokle dhe akuzohet se ka kryer vrasjen e Avni Gashit, më 13 tetor 2005 në Tiranë. Pas vrasjes, trupi i Gashit është hedhur në fshatin Romanat të Durrësit

30 tetor 2005

Hakmarrja e grupit të kryesuar tashmë nga Indrit Dokle nuk është ndalur me kaq, por 27 ditë më vonë ai ka organizuar vrasjen e shtetasit Ilir Kolgjini, i njohur si mik i Lul Berishës. Kjo vrasje ka ndodhur më 30 tetor të vitit 2005 pranë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/