Një helikopter ushtarak është rrëzuar këtë të hënë pranë një pike karburanti në provincën Isparta të Turqisë perëndimore duke regjistruar 6 të vdekur. Siç raportojnë mediat turke, të gjithë viktimat janë ushtarë. Helikopteri që u rrëzua i përket Shkollës së Aviacionit të Ushtrisë në Turqi.
Mësohet se helikopteri po fluturonte në kuadër të një strëvitjeje ushtarake. Guvernatori i Ispartës, Abdullah Erin, raportoi se aksidenti ajror la pas 6 dëshmorë.
Mësohet se një nga ushtarët e vrarë që ndodhej në helikopterin e rrëzuar ishte komandanti i shkollës së aviacionit tokësor Isparta, Gjeneral Brigade İsa Baydilli.
Ministria e Mbrojtjes Kombëtare në Turqi reagoi më herët përmes një deklarate për helikopterin ushtarak që u rrëzua në Isparta.
“Një nga helikopterët tanë të tipit UH-1, i cili ishte në një fluturim stërvitor në Isparta, pësoi aksident ajror; 6 nga personeli ynë ranë dëshmorë. Zoti i mëshiroftë dëshmorët tanë! Ne i shprehim ngushëllimet tona familjeve të tyre dhe Forcave tona të Armatosura Turke”, – thuhet në njoftimin e Ministrisë Turke.