Gjykata e Apelit në Tiranë ka rrëzuar kërkesën e Izet Haxhisë për lirimin nga burgu duke mos pranuar arsyetimin se ka tejkaluar afatet e paraburgimit.
Ish-truproja i Sali Berishës, Haxhia, i akuzuar për vrasjen e deputetit demokrat Azem Hajdari e argumentonte kërkesën për të marrë lirinë me mbarimin e afateve të paraburgimit duke llogaritur dhe burgun në Turqi.
Por Apeli ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës për Haxhinë. Gjykata e Tiranës më 26 korrik vendosi të rrëzojë kërkesën e disatë të të pandehurit.
Nga ana tjetër Prokuroria e Tiranës kërkoi shpalljen e moskompetencës për rigjykimin e Izet Haxhisë. Duke argumentuar se vepra penale për të cilën është dënuar dhe po rigjykohet është tashmë në kompetencën e Krimeve të Rënda.
Haxhia akuzohet për vrasjen për shkak të cilësisë së viktimës dhe në kushtet kur Azem Hajdari në momentin e vrasjes ishte deputet, çështja zgjidhet në Gjykatën për Krime të Rënda.
Seanca e radhës me rigjykimin në themel të çështjes është caktuar më 20 shtator.





